VLEN Logo
FISNIK MELA
Kryetar i Dibrës

Rreth Fisnik Mela

Fisnik Mela - Kryetar i Komunës së Dibrës
Fisnik Mela, i lindur në Dibër më 22.06.1984, është Kryetar i Komunës së Dibrës dhe profesionist në fushën e teknologjisë dhe menaxhimit publik, me një karrierë që bashkon përvojën në sektorin shtetëror dhe atë privat.

Aktualisht ushtron detyrën e Kryetarit të Komunës së Dibrës, duke u përkushtuar për transparencë, digjitalizim dhe përmirësim të shërbimeve publike për qytetarët. Më herët ka ushtruar detyrën e Zëvendës Drejtorit të Përgjithshëm në Drejtorinë e të Hyrave Publike dhe ka qenë këshilltar i drejtorit gjeneral në Fondin e Sigurimit Shëndetësor të Republikës së Maqedonisë së Veriut.

Ai është themelues i Rottera Software Solutions duke sjellë inovacion dhe zhvillim në ekosistemin digjital vendor.

Më herët ka punuar si inxhinier softueri në kompani ndërkombëtare si Tarmac, Trimble, Credly, Icario dhe Slice në Shtetet e Bashkuara, ku duke punuar me këta gjigandë të teknologjisë ka fituar eksperiencë të gjerë në zhvillimin e platformave teknologjike dhe menaxhimin e projekteve komplekse. Gjithashtu ka realizuar projekte të ndryshme edhe në shtete të tjera si Zvicër, Slloveni, Gjermani, Greqi.

Fisniku ka diplomuar në Shkenca Kompjuterike dhe ka përfunduar studimet post-diplomike në Inxhinieri Softuerike dhe Telekomunikacion në University of Sheffield.

Përvoja e tij e pasur në teknologji, sipërmarrje dhe administratë publike e bën atë një udhëheqës të përkushtuar për digjitalizimin, transparencën dhe inovacionin në shërbim të qytetarëve dhe komunitetit të Dibrës.

Mesazhi i Kryetarit për Dibranët

Të nderuar bashkëqytetarë Dibranë,

Si Kryetar i Komunës së Dibrës, jam i përkushtuar për të sjellë transparencë, inovacion dhe zhvillim të qëndrueshëm për të gjithë banorët e Dibrës.

Besoj se qeverisja e ndershme, digjitalizimi dhe bashkëpunimi i ngushtë me qytetarët janë çelësi për të ndërtuar një Dibër që ecën përpara.

Angazhimi im nuk është i rastësishëm. Ai buron nga dashuria për Dibrën – qytetin ku kam lindur, jam rritur dhe ku dua të jetoj e të rris fëmijët e mi. Dibra ka një potencial të jashtëzakonshëm – profesionistë të dëshmuar, njerëz të ndershëm e të përkushtuar, që e duan këtë vend po aq sa e duan veten.

Jam thellësisht i bindur se, përmes bashkëpunimit të ndershëm, kombinimit të përvojës dhe energjisë rinore, dhe me një vizion të qartë e realist, mund të sjellim ndryshimin që Dibra meriton – zhvillim të qëndrueshëm, mirëqenie për të gjithë dhe kthimin e besimit në institucione.

Drejtësia, sinqeriteti, meritokracia dhe përkushtimi do të jenë katër shtyllat themelore që do të udhëheqin çdo hap të punës sime si Kryetar i Komunës.

Jeni të mirëseardhur të më kontaktoni për çdo pyetje, sugjerim apo problem. Bashkë do të ndërtojmë një Dibër më të mirë për të gjithë.

Me respekt dhe përkushtim,

Fisnik Mela

Kryetar i Komunës së Dibrës